Këtë herë doli më i fortë se dëmtimet, se fati i keq dhe se pjesa e parë nga më të shëmtuarat që ka luajtur ndonjëherë. Milani, ai ekip që u duk inferior në “Anfild” dhe disi naiv ndaj Atletikos, është ndryshe në Itali pavarësisht humbjes së pak kohëve më parë ndaj Juventusit. Me Veronën ishte një provë karakteri, apo siç tha pas ndeshjes trajneri Pioli, “në pushim të ndeshjes pashë fytyrat e duhura dhe pata shpresë për përmbysjen”. Verona kryesoi 2-0 në pushim (Barak me penallti e Kaprari), por pas kthimit në fushë, kuqezinjtë bënë mrekullinë. Hyri Samu Kastijeho që vendosi në fund, një gol e shënoi veterani kampion i botës Olivie Zhiru, shënoi “rebeli” Kesi, ndërsa në 77’ hyri edhe Ibrahimoviç.
Konkurrenca bën që edhe ata që mendoheshin në skaj të projektit të Piolit të kthehen në heronj, si ishte rasti i Kastijehos, të cilin Pioli e quajti “një shembull për të gjithë”. “Ky Milan nuk vdes kurrë” është konkluzioni i “La Gazeta delo Sportit”, ndërsa “djalli” e mbylli të shtunën në vend të parë në pritje të ndeshjes së Napolit.
Sfidanti.al