Egnatia i bën gjëmën Laçit, ku shkuan kurbinasit pretendentë edhe në Europë?!

A mund ta besojmë se kjo skuadër vjet për pak fitoi titullin? Po ashtu, a mund të kandisemi për të pranuar faktin se në vendin e fundit të Superligës sot është ekipi që kaloi dy raunde në kupat e Europës? Duam apo s’duam ky është realiteti dhe Laçi është në vendin e 10-të në Abisnet Superligës me vetëm 2 pikë në 5 ndeshje. Kjo u vendos pas humbjes së tretë në këtë edicion, pësuar nga Egnatia, madje në ndeshjen e parë që u luajt në shtëpi, pasi fusha e stadiumit kurbinas ishte gati për të pritur futboll. Një gol i shënuar nga Pedro Augusto pas 75 minutave lojë vendosi fatin e duelit mes laçianëve e rrogozhinasve, dhe fati i trajnerit Vukiçeviç është tashmë i përcaktuar.

Në të kundërt, Gugash Magani është rikthyer në Superligë si protagonist i madh pas disa sezonesh kur drejtoi ekipe në Kosovë apo në ligat më të ulëta në Shqipëri. Në të vërtetë, Laçi e nisi më mirë ndeshjen, duke krijuar disa mundësi për shënim, por u nxitua, ndoshta edhe nën ndikimin e presionit të marrë rezultat me çdo kusht. Egnatia e Maganit ka tani 8 pikë, për momentin në krye të renditjes njësoj me Tiranën e Kukësin që ende nuk kanë luajtur. Në ndeshjen tjetër të kësaj dite, Kastrioti mundi me meritë Skënderbeun 2-0 në Kamzë, dhe iu shkëput vendit të fundit.

Sfidanti.al