Dëgjoni Pol Insin: Oferta e madhe e Man. Junajtidit për Pogbanë është dobësi!

Do t’i japin 400 000 paundë stërlina në javë, që është një rrogë rekord edhe për Premier Ligën e rekordeve. Mançester Junajtidi është gati të “nxjerrë xhepat jashtë” për të kënaqur ambicien financiare të Pol Pogbasë dhe për të vazhduar ta mbajë mesfushorin francez, të cilit i përfundon kontrata verën e ardhshme. Gjithsesi, ish-mesfushori i shquar i “djajve të kuq”, Pol Ins, deklaron se kjo sjellje e Junajtidit tregon dobësi. “Pogba është një lojtar shumë i mirë, një kampion i madh, – tha Insi, – por, në “Old Traford” ai ka luajtur me hope, dhe nuk ka dashur apo nuk ka mundur të japë maksimumin, ndryshe nga sa ndodh me Francën. T’i ofrosh një kontratë të tillë Pogbasë është një dobësi, ndërsa klubi duhet t’i kërkojë të impenjohet më shumë”. Besohet se Reali i Madridit dhe Paris SG interesohen për kampionin e botës.

Sfidanti.al