I ndershëm si një turk, gjesti i Çalhanoglusë kujton Fatih Terimin!

Gati 100 vjet më parë, përfaqësuesi britanik në Shqipëri tregonte një ngjarje mes Ahmet Zogut dhe Elez Isufit. Prijësi nga Dibra kishte mësyrë Tiranën dhe, ndërsa qeveria ishte arratisur në Elbasan, përballë tij kishte mbetur Zogu dhe ministri Koleka. Pasi u bë luftë, dy burrat u morën vesh me ndërmjetësimin e anglezit, i cili u habit nga mënyra sesi u lidh akordi. “Nuk pati kontratë, firmë në letër, por thjesht një përshëndetje kryekreje, një fjalë e dhënë, dhe gjithçka përfundoi”, shkruante ai në kujtimet e veta.

Historia e futbollistit turk, Hakan Çalhanoglu, të kujton pak a shumë sjelljen e dy burrave shqiptarë. Menjëherë pasi mori vesh dënimin e dhënë nga FIFA, që të mos luante deri në fund të sezonit, turku bëri me dije se nuk do të merrte rrogën apo shpërblimet e ndryshme nga Leverkuseni. Nuk besohet se kontrata mes palëve e kishte një klauzolë të tillë, por Çalhanoglu përdori një arsyetim tipik të njerëzve që vijnë nga shoqëri ende jo plotësisht “kapitaliste”, ku jo gjithçka bazohet tek paraja. “Në vendimin tim nuk ka ndikim klubi, – tha ai, – është vendimi im, ndërsa Leverkuseni është dëmtuar mjaft nga dënimi im. Nuk mund ta dëmtoj më shumë”.

Veprimi i tij të kujton edhe atë të trajnerit të famshëm turk, Fatih Terim, kur u largua nga Milani. Terim nuk i kërkoi Berluskonit pjesën e rrogës që i takonte me kontratë, por me një vendim sfidues deklaroi se “me ato para, presidenti le të blejë ndonjë lojtar për ta bërë Milanin më të fortë”.

Sfidanti.al