Po flasim për një nga pesë “monumentet” e sportit të biçikletës, dhe atë që mbyll sezonin. Xhiron e Lombardisë, në edicionin e saj të vitit 2021, e fitoi kampioni në fuqi i Turit të Francës, Tadej Pogaçar, që tregoi se çiklizmi slloven vazhdon të jetë dominues në rang botëror. E mbiquajtur “Klasikja e gjetheve që bien (të vdekura)” (në italisht “classica delle foglie morte”), ajo është një nga pesë garat më të famshme të botës që zhvillohet brenda një dite, ndërsa ka nisur në 1905. Pogaçar nuk dihet nëse do të barazojë rekordin e legjendës Fausto Kopi që fitoi 5 herë në Lombardi, por padyshim që është një emër i madh. Slloveni, fitues i Turit në 2020 e 2021, ka fituar këtë vit edhe në Liezh-Bastonjë-Liezh, ndërsa triumfoi në sprintin ndaj italianit Fausto Masnada, duke lënë 51 sekonda prapa rivalët e tjerë si Jejts, Rogliç, Valverde apo Anafilip.
Sfidanti.al