Reshjet e dy javëve më parë në Soçi ndihmuan Maks Verstapenin që të minimizonte dëmet në Çmimin e Madh të Rusisë duke u nisur nga vendi i fundit. Holandezi i Red Bullit doli i dyti, dhe këtë do të përpiqet të bëjë Ljuis Hamiltoni në Çmimin e Madh të Turqisë këtë fundjavë në Stamboll. Piloti i Mercedesit, kampion i botës në fuqi, do të ndërrojë motorin që do të jetë i katërti për këtë sezon të Formula 1, dhe për këtë arsye është dënuar që të niset 10 vende më poshtë sesa pozicioni që do të ketë në provat zyrtare të së shtunës. Hamiltoni është vetëm 2 pikë më lart sesa Verstapeni, dhe kryeson renditjen e Botërorit, veçse në Stamboll mund të humbasë shumë. Sipas mediave angleze, shtatë herë kampioni i botës ka dy shpresa të mëdha në Turqi, së pari pistën që lejon më shumë parakalime se të tjerat, dhe faktin se mund të ketë reshje shiu, diçka që ndihmoi Verstapenin në Soçi.
Sfidanti.al