Sulmuesi i Çelsit ka 5 ndeshje radhazi që nuk shënon, dhe tifozët e “djajve të kuq” janë të shqetëuar në prag të gjysmëfinales së sotme ndaj Francës në Ligën e Kombeve. Romelu Lukaku, që ishte makineri golash tek Interi, ka një “minikrizë” tek Blutë e Londrës, dhe ish-trajneri i tij, Antonio Konte, ka deklaruar se Tomas Tuhel ende nuk ka mësuar sesi ta vendosë në fushë sulmuesin, dhe sesi skuadra duhet ta ndihmojë atë për golat. Gjithsesi, trajneri i Belgjikës, Roberto Martinez, është i bindur se fanela e kombëtares do të bëjë që Lukaku të dalë nga kriza dhe të shënojë sërish gola.
“Ai ka gjithçka që një trajner do të donte të kishte një sulmues, – tha Martinezi, – unë kam nisur të punoj me Lukakun që kur ai ishte 19 vjeç, dhe unë shoh se ai ka ecur shumë përpara. Periudha tek Interi e bëri më të pjekur dhe ai mund të bëjë gjithçka, të luajë me fytyrë apo shpinë nga porta, me inteligjencë dhe fuqi. Ai i shfrytëzon shumë mirë rastet”. Lukaku ka 67 gola në 100 ndeshje për Belgjikën, ndërsa në Torino do të përpiqet të harrojë humbjen e pësuar me Çelsin ndaj Juventusit në Champions, si dhe të hakmerret ndaj Francës për humbjen në gjysmëfinalen e Kupës së Botës në 2018.
Sfidanti.al