Boksieri ukrainas, Vladimir Kliçko, deklaroi, ditët e fundit, në Nju Jork, se ndjehet i lehtësuar që ndeshja për kampion bote kundër Entoni Xhoshuas do të zhvillohet në Uembli të Londrës. Ky boksier ukrainas që, në fakt, “fushë të vet” të vërtetë konsideron Gjermaninë, do të ndeshet, më 29 prill të këtij viti, me kampionin e botës, në kuadrin e IBF-së, Xhoshua, në Uembli, para 90 000 tifozëve. Pritet që atmosfera e ndezur dhe pritshmëritë e mëdha ta vënë yllin e ri )Xhoshuan) nën një presion mjaft të madh, ndërkohë që Kliçko 40-vjeçar, pjesën më të madhe të karrierës së tij e ka kaluar si një atraksion kryesor dhe, kështu, do ta ketë më të lehtë që ta përballojë presionin e madh të ndeshjes së ardhshme para një numri kaq të madh spektatorësh në Uembli.
Ndeshja kundër kampionit të madh rus, Aleksandër Povetkin, para tre vitesh, në Rusi, ku ai e mposhti bindshëm sfidantin, i ka dhënë atij një vetbesim të madh, kështu që ai e pret me qetësi ndeshjen në Angli. “Me të vërtetë, jam i gëzuar që nuk do të ndeshem në terrenin tim. Është fakt se shumica e tifozëve në Uembli do të bëjë tifozllëk për kundërshtarin tim. Këtë unë e di. Mua më pëlqen që të ndeshem jashtë terrenit tim. Më 1999, u ndesha me gjermanin Aksel Shulc, kur 99 për qind e tifozëve ishin kundër meje. Kështu që mua më pëlqen të ndeshem në tërrene të tjerë. Me të vërtetë, më pëlqen që të ndeshem në ‘fushën’ e kundërshtarit, madje, edhe në qytetin e tij të lindjes. Me të vërtetë, ky është një avantazh për mua”, thotë Kliçko. Entoni Xhoshua, 27 vjeç, që është nga Uotfordi, në periferi të Londrës, nga ana e tij, është më i tensionuar lidhur me ndeshjen e ardhshme. “Kur ndeshesh nën presion, të pëlcasin venat ose lindin diamante! Besoj se më kuptoni se çfarë dua që të them. Shtoni edhe faktin se ndeshjen në Uembli do ta shohin 90 000 veta”, thotë ai.
Sfidanti.al