Tek Totenhemi do pendohen që nuk e lejuan Kejnin për 150 milionë!

Katastrofa e fundit në derbin ndaj Arsenalit nuk ishte edhe aq e pritshme, por skuadra gjithsesi nuk bindte. Gjithsesi, humbja 1-3 tregoi sesa poshtë ka rënë Totenhemi, që jo vetëm e sheh veten larg katërshes së parë në Premier Ligë, por edhe nuk sheh asnjë “dritë në fund të tunelit”. Më e keqja nga të gjitha, njeriu që duhej të ishte udhëheqësi, Harri Kejni, nuk po e tërheq “karrocën”, duke ua lënë barrën të tjerëve. Ylli i Anglisë tregoi se po luan krejt pa qejf tek Spërsat, që kur nuk e lejuan të shkonte tek Mançester Siti, dhe duket se po i tregon presidentit Daniel Levi se çfarë gabimi bëri duke hedhur poshtë ofertat e Sitit që ndoshta arritën në 120 milionë paundë stërlina, dhe ku i dihet mund të arrinin edhe deri në 150 milionë. Tifozët e Totenhemit theksojnë se ky ka qenë gabimi më i madh i klubit, sepse mbajti një lojtar kundër dëshirës dhe nuk mori kaq shumë para me të cilat mund ta kishte forcuar skuadrën. Totenhemi dhe Arsenali kanë nga 9 pikë, 5 pikë larg Liverpulit që kryeson kampionatin anglez.

Sfidanti.al