Mirlind Daku, sulmuesi nga Kosova që vuri “vulën” me gola në Kroaci!

Një sulmues i Kosovës shënoi emrin e tij më në fund edhe në Ligën e Parë të Kroacisë. Ky ishte Mirlind Daku që realizoi 2 gola në fitoren 3-2 të Osijekut në fushën e tij ndaj NK Goricës. Daku hyri në fushë në minutën e 67-të për Osijekun dhe prania e tij u ndje menjëherë. Sulmuesi 23-vjeçar i Kosovës barazoi rezultatin në 1-1 në 75’, pra vetëm 8 minuta pas aktivizimit, ndërsa në 84’ e barazoi sërish në 2-2. Këta ishin dy golat e parë të Dakut në Ligën e Parë të Kroacisë ku është aktivizuar në 4 ndeshje, ndërsa Osijeku është në krye me 17 pikë po aq sa Rijeka, ndonëse ka më pak ndeshje se bregdetasit dhe se Dinamo e Zagrebit . Shqiptari i Kosovës u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes me 44 për qind të votave ndaj 40 për  qind të Petar Boçkajt. Ai ka një gol në një ndeshje në Kupën e Kroacisë. Shtatlarti prej 1.92 metrash ka qenë i dalluar në Superligën e Kosovës ku ka shënuar 58 gola e ka shërbyer 10 asistë në 89 ndeshje me Ballkanin e Llapin, ndërsa njihet edhe nga tifozët shqiptar si lojtar i Kukësit për të cilin realizoi 3 herë në 16 ndeshje. Daku ka luajtur 13 ndeshje e ka 3 gola për Kosovën 21, dhe 5 ndeshje për ekipin e parë të Kosovës.

Sfidanti.al