Klasi i Ernest Muçit mahnit Poloninë, mediat polake e quajnë “sensacion në Moskë”!

Luheshin sekondat e fundit, dhe ishin të kënaqur edhe me aq. Legia e Varshavës po barazonte 0-0 në Moskë ndaj Spartakut vendas, por një moment magjie i Ernest Muçit i siguroi fitoren. Talenti 20-vjeçar i kombëtares shqiptare kreu një veprim si Garet Bejl apo Kristiano Ronaldo duke shërbyer në zonë ku shqiptari i Kosovës, Lirim Kastrati e dërgoi topin në rrjetë. Një ekstazë e vërtetë për polakët, që nuk e prisnin triumfin dhe që e nisën me sukses fazën e grupeve në Ligën e Europës.

Mediat polake e quajtën sensacion fitoren e Legias, ndërsa theksuan se kjo u arrit falë dyshes shqiptare Muiçi-Kastrati në minutën e fundit. E përditshmja “Przeglad Sportovi” komenton se “historia dëshiron të përsëritet”, pas 10 vjetësh Legia mund Spartakun në Moskë, sërish në kohën shtesë! “Nga Rusia me dashuri”, perifrazon faqja zyrtare e Legias në Tuiter titullin e filmit britanik të viteve 60-të, ndërsa shpreson kualifikimin. E përditshmja moskovite, “Sport Ekspres” i bën jehonë reagimeve të tifozëve polakë në rrjetet sociale, duke vendosur foton e Muçit e Kastratit në përqafim: Koha shtesë, ne e dimë, ne dashurojmë!

Kastrati ishte në qendër të vëmendjes së televizionit të klubit, ndërsa Legia mbërriti në Moskë, në kryeqytetin rus ku polakët nuk shkojnë me shumë qejf. Sulmuesi 22-vjeçar nuk zhgënjeu. Sa për Ernest Muçin, duhet thënë se ish-lojtari i Tiranës dhe i Shqipërisë U21, i grumbulluar tashmë nga Edi Reja në kombëtare, po bëhet gjithnjë e më shumë i rëndësishëm. Legia po e kupton se çfarë talenti ka marrë, ndërsa 20-vjeçari ka nisur të shënojë gola e të ndihmojë shokët e ekipit, me mënyrën e tij të veçantë dhe elegante.

Sfidanti.al