Mançester Junajtid la pas zhgënjimin e barazimeve, duke arritur një sukses të madh në fushën e kampiones Leiçester, dhe duke u afruar shumë matematikisht me zonën Champions. Zhoze Murinjo, ashtu siç e tha disa ditë më parë Sër Aleks Fergusoni, ka fituar qetësinë e nevojshme në drejtimin e skuadrës më të famshme të Anglisë, dhe rezultatet po duken.
Triumfi në stadiumin kundërshtar ishte 3-0, me golin e mrekullueshëm të Henrik Mkitarianit, dhe pastaj me rrjetat e Zllatan Ibrahimoviçit e të Huan Matës. “Djajtë e kuq”, me talent të shumtë në përbërje, janë tani vetëm 2 pikë prapa Arsenalit që mban vendin e katërt, pozicion që të siguron të paktën plej ofin e Championsit për edicionin e ardhshëm.
Dy golat e ekipit nga “Old Trafordi” u shënuan në vetëm 88 minuta, fillimisht sulmuesi armen dhe pastaj ai suedez (42’, 44’). Katër minuta pasi filloi pjesa e dytë (49’), Huan Mata largoi çdo dyshim për fitoren.
Ishte një e diel shumë pozitive për të dyja skuadrat e Mançesterit, pasi Siti triumfoi 2-1 në fushën e vet ndaj Suonsit, ndonëse fitorja e të besuarve të Pep Guardiolës ishte shumë, shumë më e vështirë. Gabriel Zhezus vazhdoi të shkëlqente pak ditë pas ardhjes në Angli, por Gylfi Sigurdson barazoi për miqtë, dhe vetëm në fund fare erdhi fitorja. Edhe këtë herë u desh “Zhezusi” Gabriel për të marrë tri pikët dhe për të ngjitur Sitin në vendin e tretë, vetëm 1 pikë larg Totenhemit.