Kombëtarja e lumtur për Gjimshitin, gati 1 300 minuta në Champions!

Nuk është ende ndonjë kohë tepër e madhe, por kur flitet për një lojtar që 5 vjet më parë nuk u zgjodh për të qenë pjesë e Shqipërisë në Europian, dhe që deri para 3 vjetësh as nuk e dinte se çfarë ishte Liga e Kampionëve, atëherë duhet të jemi shumë të kënaqur. Berat Gjimshiti është bërë lojtar-simbol i Shqipërisë në Champions, ku ka luajtur 15 ndeshje nga 17 gjithsej të Atalantës, duke qenë në fushë gati 1 300 minuta (saktësisht 1 291). Qendërmbrojtësi i bergamaskëve është vlerësuar vazhdimisht si një nga më të mirët në Europë në rolin e tij, ndërsa në barazimin 2-2 në fushën e Vijarrealit ishte 61 minuta në lojë. Gjatë 3 sezoneve të fundit, nga 2019 deri tani në 2021, Gjimshiti 28-vjeçar ka luajtur ndaj rivalëve të fortë si Mançester Siti, Valencia, Liverpuli, Paris SG, Ajaksi, Reali i Madridit dhe tani Vijarreali. Nuk është turpëruar pasi ka 7 fitore, 4 barazime e 7 humbje, ndërsa në 2020 si pjesë e Atalantës u bë surpriza e Europës duke arritur çerekfinalet e Championsit.

Sfidanti.al