Është italian, por njëkohësisht “qytetar i botës”. Flavio Briatore bën një parashkim vërtet të ftohtë të sezonit të ri të Formula 1 që pritet të nisë në mars. Edhe pse është nga Apeninet, edhe pse edhe shoqja e tij aktuale është modele italiane, Elizabeta Gregoraçi, sërish ish-drejtuesi i skuadrave në F1 nuk ka asnjë dobësi apo nostalgji. “Ferrari më i fortë këtë vit? – habitet ai nga pyetja, – e vetmja gjë që ndryshon nga vjet është që Markione nuk bën më deklarata, por po rri urtë. Skuadra është po ajo, “furra” e njëjta, “bukëpjekësi” po ai, cilësia e miellit nuk ka ndryshuar”.
Briatore mendon se Ferrari nuk mund ta arrijë as këtë vit nivelin e Mercedesit, por i jep më shumë shpresa Red Bullit dhe sidomos pilotit të ri të austriakëve, Verstape. “Një kampion i vërtetë”, – vlerëson ai. Briatore mori famë në Formula 1 që në fillim të viteve 90-të kur krijoi skuadrën Beneton, duke marrë Mikael Shumaherin e duke fituar dy tituj botërorë në 1994 e 1995, manovër që e përsëriti me Renonë, kur fitoi dy tituj të tjerë me Fernando Alonson (2005, 2006).
Është Ljuis Hamilton që ka gjithë admirimin e Briatores, sidomos për atë që bëri në Brazil, duke kalkuluar sesi mund ta fitonte titullin botëror. “Pasi e humbi vjet, këtë herë do të jetë më i përqëndruar dhe nuk do t’i lejojë vetes të bëhet Dixhej, por vetëm pilot”, – shprehet italiani.