Futbollistët e Arsenalit nuk ishin të pavëmendshëm vetëm në terrenin e stadiumit “Stemford Brixh”, ku u mundën 1-3 nga Çelsi. Ndonjë prej tyre u mund nga vetvetja, apo nga pakujdesia e theksuar e treguar. Flitet për Aleks Okslejd-Çembërlenin, lojtarin e shpejtë dhe të talentuar, i cili besohet krejt pa mendje bëri “pëlqim” në një postim të tifozëve në Tuiter. Postimi shkruante “Venger duhet të largohet”, pra flitej për trajnerin e Okslejd-Çembërlenit, diçka që krijoi habi të madhe.
Disa tifozë e kopjuan (print screen) postimin së bashku me pëlqeimin e futbollistit dhe e shpërndanë në rrjetet sociale, përpara sesa vetë lojtari ta kuptonte gabimin dhe ta hiqte pëlqimin. Pas kësaj, Okslejd-Çembërlen u detyrua të kërkonte falje, duke shkruar në Tuiter. “Natyrisht, që unë nuk e bëra pëlqim me qëllim postimin më herët, as nuk e kuptova që e kisha bërë pëlqim”. Lojtari mori në telefon edhe drejtues të klubit dhe u kërkoi falje. Mediat britanike bënë shaka pas kësaj ngjarjeje, duke shkruar “sa mirë do të ishte sikur të hiqje me një buton edhe humbjen 1-3 ndaj Çelsit”.