Arlind Ajeti do të ketë mundësinë të debutojë nesër në Serie A me fanellën e Torinos ndaj Empolit
U transferua te Torino me shpresën se do të jetë një ndër lojtarët më të rëndësishëm në mbrojtjen e skuadrës së Sinisa Mihajlovic, por mbrojtësi i Kombëtares Arlind Ajeti ende nuk e ka zhvilluar një ndeshje të vetme me këtë skuadër në Serie A.
Por, tashmë vuajtjes së shqiptarit po i vjen fundit. Kjo për faktin se trajneri i Torinos, Sinisa Mihajlovic, në konferencë për shtyp ka konfirmuar se Ajeti do të luajë nga minuta e parë dhe shpreson që lojtari do ta shfrytëzojë këtë rast dhe t’i tregojë vlerat e tij.
“Është përmirësuar shumë që kur ka ardhur këtu. Padyshim që ka karakteristika më ndryshe nga të gjithë mbrojtësit që kemi, pasi është një mbulues i pastër në një për një. Tani ai duhet të tregojë të gjithë inatin që ka se ka qëndruar kaq gjatë jashtë dhe të më tregojë se sa vlen”, tha fillimisht Mihajlovic.
“Nesër me shumë mundësi do të jetë shansi e tij. Nëse do të paraqitet mirë do të vazhdojë të luajë. Por kjo varet nga ai”, shtoi më tej Mihajloviç.
Në konferencën për shtyp ishte edhe mbrojtësi shqiptar, i cili e pranoi se nuk e kishte parashikuar se do të qëndronte kaq gjatë larg fushës kur firmosi me Torinon.
“Deri tani nuk kam luajtur shumë. E di që duhet të vazhdoj të stërvitem për të gjetur hapësira. Nuk e di pse nuk kam luajtur që në fillim, unë jam munduar që të bëj gjithmonë atë që më thoshte trajneri dhe në fund është ai që vendos dhe unë duhet të pranoj vendimet e tij. Do të mundohem që të bëj edhe më shumë”, tha fillimisht Ajeti.
“E pranoj që kur erdha këtu prisja që të luaja më shumë, por të gjithë lojtarët duan të luajnë më shumë. Fatkeqësisht u dëmtova në grumbullim dhe është e vështirë të kthehesh nga një dëmtim i tillë. Tani po stërvitem me ritëm të plotë dhe të shohim se çfarë do të ndodhë”, shtoi mbrojtësi shqiptar.