Klaus Gjasula bëhet burrë, i thotë “sikter” kokores pas 8 vjetësh dhe kjo i sjell fat!

Nuk mbahet mend kur e kishte vendosur për herë të parë. Klaus Gjasula dilte në fushë me një kokore që prej vitit 2013, menjëherë pas një dëmtimi serioz në kokë i cili i la sidomos pasoja psikologjike. Ai është njohur në Gjermani si “njeriu me helmetë” për 8 vjet me radhë, ndërsa luajti edhe në Bundesligë, e veshi fanelën e Paderbornit e të Hamburgut. Gjithsesi, erdhi dita që mesfushori i kombëtares të hidhte hapin e madh.

Në ndeshjen që ekipi i tij i ri, Darmshtati, luajti ndaj Ingolshtatit në Bundesligën e dytë, shqiptari 31-vjeçar doli pa kokore. Ai ishte titullar dhe ndihmoi në fitoren e thellë 6-1, në një ndeshje që Darmshtati e dominoi plotësisht. “Fillimisht m’u duk e çuditshme, – tha ai, – sidomos në 15 minutat e para, dhe në duelet e para me kokë, por pastaj pak nga pak nisa të mësohesha. Dëshiroja të nisja një kapitull të ri, ta filloja nga zero”.

Gjasula mori notën 2 në këtë ndeshje nga e përditshmja “Bild”, që është një vlerësim i mirë, ndonëse 3 shokë të tij arritën tek 1-shi. “Bildi” vlerësoi se heqja e kokores nga shqiptari i solli fat skuadrës, dhe se ai bëri detyrën. Nuk dihet nëse futbollisti i kombëtares do ta provojë sërish Bundesligën, pasi Darmshtati është një skuadër modeste, por tani që pati guximin të luante pa kokore, mendon se mund të arrijë gjithçka, si dy vjet më parë kur shkëlqente në elitën gjermane me Paderbornin.

Sfidanti.al