Si u “katandis” kështu Murinjo? Junajtid, ekipi më “dorëshpuar”!

Zhoze Murinjo gjithnjë është cilësuar një trajner pragmatist. Një drejtues që e udhëzonte skuadrën të mbrohej fort dhe të kundërsulmonte shpejt. Ekipet që drejtonte ai mund të mos shënonin më shumë gola se të gjithë, por ishin cinikë, krijonin pak dhe realizonin thuajse gjithnjë. Vetëm tek Reali, me atë nivel talenti dhe tradite sulmuese, portugezi theu rekordet e golave. Tek Mançester Junajtid po provon diçka tjetër.

Nëse ka ekip në Angli, por edhe në Europë, që krijon shumë raste ky është ai i “Old Trafordit”. Veçse, nëse ka ekip që nuk di ta dërgojë topin në rrjetë, është sërish ky i “djajve të kuq”. Statistikat flasin qartë, Junajtid ka krijuar 391 raste për gol në ndeshjet e këtij sezoni në Premier Ligë, por ka shënuar vetëm 33 gola, duke pasur vetëm 8.44 për qind saktësi. Vetëm ekipet e dobët si Hull apo Sauthempton kanë mesatare më të keqe, ndërsa kur vjen puna tek rastet vërtet të pastra, Junajtid është më shpërdoruesi. Çudi e madhe për një ekip që ka Runin, Ibrën, Marsialin e Rashfordin në sulm.

Sfidanti.al