Noti në Olimpiadë: Ishte dita e Kinës me dy medalje të arta!

Ishte për Kinën, dita olimpike e notit në Tokio 2020. Në 200 metra flutur për femra, kampione olimpike u shpall kinezja Çan Ju Fei me kohën 2’03”86, duke qenë ky gjithashtu rekordi i ri olimpik. Ajo triumfoi ndaj amerikanes Regan Smith duke pasur epërsi prej gati 2 sekondash, ndërsa në vend të tretë doli amerikania tjetër Hejli Flikinger.

Kina fitoi të artën edhe në stafetën 4×200 metra stil i lirë, pas një gare tepër të fortë me skuadrën amerikane. Ekipi kinez vendosi rekordin botëror me kohën 7’40”33, ndërsa SHBA doli e dyta me 7’40”73 duke vendosur rekordin për kontinenet amerikane. Në vend të tretë, Australia. Kinezet kampione olimpike ishin Jan Jun Hsuan, Tan Mu Han, Çan Ju Fei, Li Bin Xhi.

Robert Finke i SHBA-së fitoi finalen e 800 metrave stil i lirë me kohën 7’41”87 duke vendosur rekordin e ri amerikan. Në vend të dytë, Gregorio Paltrinieri i Italisë dhe i treti Mihajlo Romançuk i Ukrainës.

Në 200 metra bretkosë për meshkuj, medalja e arit shkoi për Zak Stablëti-Kuk të Australisë që vendosi rekord të ri olimpik me 2’06”38 . Pas tij Arno Kaminga i Holandës dhe Mati Matson i Finlandës.

Sfidanti.al