Ishte ndeshja e parë në “Alianc Arena”, edhe pse një përgatitore vere. Bajerni ndeshej meAjaksin e Amsterdamit, në një barazim 2-2, dhe nja 20 tifozë në tribunën jugore të ultrasve, lëshuan thirrjet “Ne jemi krenaria e kuqe e Mynihut”, ndërsa shpalosën një banderolë ku shkruhej: “Derri Nagelsman, kthehu sërish tek TSV-ja”. Historia ka të bëjë me faktin se trajneri i ri bavarez ka qenë pjesë e rivalëve të qytetit, TSV 1860 Mynih. Ai ka qenë lojtar në ekipet e moshave nga U17 deri tek TSV 1860 Mynihu II për 7 vjet, si dhe ndihmëstrajner i ekipit U17 nga 2008 deri në 2010. i ngacmuar pas ndeshjes, Nagelsmani nuk e bëri gjë të madhe. “Ata u dëgjuan shumë sepse stadiumi nuk ishte plot, – tha ai, – unë nuk jam tifoz i rivaliteteve të mëdha, unë jam për tolerancën në jetë. Secili le ta mendojë dhe ta shprehë ashtu siç i duket më mirë”.
Sfidanti.al