Mund të habiteni me Feti Nurinin, por nuk mund të mos e respektoni!

Shpesh herë qendrime të tilla mund të të çojnë deri tek lufta, por ne e dimë mirë se luftërat ndodhin edhe për shkaqe shumë të tjera, madje ndodhin më shpesh. Xhudisti algjerian Feti Nurin vendosi të tërhiqej nga Lojrat Olimpike në Tokio pasi shorti e vendosi në turin e dytë përballë izraelitit Tohar Butbul. “Çështja palestineze është më e rëndësishme sesa suksesi im sportiv”, – tha Fetiu pas shortit, duke deklaruar kthimin në shtëpi. Dikush mund ta cilësojë “fanatizëm”, dikush “veprim të skajshëm”, ndonëse kjo nuk është ndonjë gjë më e madhe sesa, të themi, kur Françesko Toti nuk pranon të shkojë tek Lacio apo Stiven Xherrardi që të bashkohet me Evertonin. Madje, ka kuptim dhe ndjenjë më të thellë sesa kaq. Respekti për Feti Nurinin nuk është sepse nuk deshi të ndeshej me një izraelit (sepse xhudisti izraelit Butbul nuk është shkaktar për vuajtjet e popullit palestinez), por respekti fitohet sepse në epokën e sotme të “tamtameve” për interesin personal dhe kënaqësinë individualiste, del një njeri që pranon të sakrifikojë një ëndërr 4-vjeçare për çështjen e një populli. Në fund të fundit, po flasim për një xhudist shumë të mirë që është 3 herë kampion i Afrikës.

Sfidanti.al