Nuk shquhet për ndonjë tifoz me Italinë, edhe pse ka luajtur disa vjet në Serinë A me Interin, dhe kjo mund të ndikojë. Lotar Mateus këtë nuk pati shumë rast të komentonte për Gjermaninë e tij që u eleminua që në raundin e dytë, por është i bindur se drama që pësuan anglezët në finalen me të kaltërit ishte e merituar. Ish-kapiteni i “pancerëve” akuzoi kombëtaren e “tre luanëve” se e ka humbur kulturën e lojës së ndershme që ka pasur dikur. “Këtë traumë ju e merituat, – thotë ai, – çfarë ndodhi me lojën e ndershme që dikur i bëhej jehonë dhe veçohej, si karakteristikë e ishullit të futbollit”. Me gjasë, Mateus e ka pasur fjalën për rrëzimin e Stërlingut në gjysmëfinalen ndaj Danimarkës që solli 11-metërshin vendimtar të shënuar nga Kejn, ndërsa edhe në finale Stërlingu kërkoi penallti. Gjithsesi, ish-ylli i Gjermanisë mund të veçonte edhe simulimin e Imobiles në rastin e golit të Kiezës ndaj Belgjikës, tërheqjen e fanelës së Sakasë nga Kielini apo faullin për karton të kuq të shkaktuar nga Jorginjo ndaj Grilishit në finalen Itali-Angli.
Sfidanti.al