Feniksi udhëheq 2-0 finalen e NBA-së, vetëm Antetokumbo mund t’i ndalë!

Në të vërtetë, as ai nuk mund ta bëjë i vetëm, siç ndodhi në ndeshjen e dytë. Edhe pse ylli i madh i Miluokit pati 42 pikë, 12 topa në tabela, 4 asistë, 1 vjedhje topi e 3 bllokime gjuajtjesh, sërish Feniksi fitoi edhe këtë herë, 118-108, duke kryesuar 2-0 në serinë finale të plej ofit në NBA. Ka bërë gjysmën e punës, nëse mund të thuhet kështu, pasi edhe 2 fitore të tjera do të thonë titull. Sansët luajtën si ekip, ndonëse Devin Buker u dallua me 31 pikë, 5 topa në tabela e 6 asistë, Kris Pol shtoi 23 pikë, 4 topa në tabela e 8 asistë, ndërsa Majkëll Brixh pati 27 pikë e 7 topa në tabela, ndihmuar edhe nga Deandre Ejton me 11 pikë, 11 topa në tabela e 4 asistë. Nëse pesëshja kryesore shënon 102 pikë në një ndeshje, ajo sfidë normalisht fitohet.

Gjithsesi, Antetokumbo mbetet shpresa e Miluokit, siç ishte edhe ndaj Bruklinit kur ekipi i tij i humbi dy ndeshjet e para. Në minutat që kapiteni ishte në fushë Miluoki shënoi 3 pikë më shumë sesa Feniksi, në 8 minutat që ai ishte në stol, vendasit patën 13 pikë më shumë sesa miqtë. Gjithë puna është që Antetokumbo të ketë ndihmën e lojtarëve si Midëltonm Holidei apo Bruk Lopez.

Sfidanti.al