Një televizion britanik, “Kanali 4” (Channel 4) do t’i përgatisë emocionalisht tifozët në prag të finales së Kampionatit Europian këtë të diel në orën 21:00 në “Uembli” ndaj Italisë. Mediat angleze raportojnë se “Kanali 4” do të transmetojë (besohet nga ora 18:00 sipas kohës në Shqipëri), finalen e Kupës së Botës të vitit 1966 të luajtur gjithashtu në “Uembli” mes Anglisë dhe Gjermanisë Perëndimore. Anglezët fituan 4-2 pas polemikave, për shkak të golit të tretë që rezultoi vendimtar, shënuar nga Xhef Hërst në kohën shtesë. Të përditshmet angleze shkruajnë se do të jetë hera e parë që publiku do të ketë mundësinë ta shikojë këtë finale të plotë me ngjyra, pasi në 1966 ishte televizioni bardhezi, ndërsa vazhdimisht janë dhënë përmbledhje të kthyera me ngjyra, por jo 120 minuta të plota.
Sfidanti.al