Një dizavantazh i shpejtë, pastaj barazim me një autogol dhe vuajtje për një kohë të gjatë, për të nisur presionin në 20 minutat e fundit të pjesës së dytë bashkë me shtesat, e për të fituar me një penallti të dyshimte fituar nga Stërling, dhe të shënuar me fat nga Harri Kejn, pas pritjes së portierit Shmajkel. E tillë fitorja e Anglisë, që arriti për herë të parë pas 55 vjetësh në një finale të madhe. Kurrë ndonjë ekip europian nuk ka pritur kaq shumë. Do të luajë të dielën e 11 korrikut ndaj Italisë në “Uembli” për Euro 2020, ashtu siç luajti në 1966 në finalen e Kupës së Botës ndaj Gjermanisë, po në “Uembli”.
Anglia pati meritën sepse e kërkoi më shumë fitoren, falë disa yjeve të rinj në moshë e të palodhur, si dhe mundësive më të mëdha në stol. Kombëtarja e “tre luanëve” bëri 20 gjuajtje në portë, nga të cilat 10 në kuadrat, ndërsa Danimarka bëri 10 gjuajtje dhe 3 i pati në portë. Topi ishte 58 për qind për vendasit, që u ndoqën në “Uembli” nga 60 000 shikues, 8 000 prej të cilëve ishin danezë. Trajneri Garet Sauthgejt mund të ndihet krenar për arritjen e tij duke i bërë i pari njeri i stolit të Anglisë që e nxjerr ekipin në një finale të tillë, pas Alf Ramsejt që e fitoi Botërorin në 1966. Nuk dihet nëse kjo Angli do t’ia dalë ndaj Italisë.
Vetë mediat angleze pranuan se penalltia e golit të dytë ishte e dyshimtë, por pati pretendime për një penallti ndaj Harri Kejnit më parë, që nuk u dha nga gjyqtari dhe nga VAR-i. Danimarka u tregua shumë e rrezikshme, dhe për disa pjesë loje ishte superiore taktikisht dhe në qarkullimin e topit, por në tërësi anglezët e merituan.
Anglia (4-2-3-1): Pikford, Uolker, Stouns, Megajer, Shou, Filips, Rajs (Henderson 95’), Saka (Grelish 69’ (Tripier 105’), Maunt (Foden 95’), Stërling, Kejn. Tr. Sauthgejt
Danimarka (3-4-3): Shmajkel, Kristensen (Andersen 79’), Kjer, Vestergard (Vind 105’), Striger Larsen (Vas 67’), Hëjbjerg, Delanei (Jensen 105’), Mehle, Brejthuejt, Dolberg (Norgard 67’), Damsgard (Poulsen 67’). Tr. Hjulmand
Sfidanti.al