Euro 2020, mrekullia italiane vazhdon edhe pse vetëm pas kohës shtesë!

Nëse Hungaria mund të ndalojë Francën e Gjermaninë, Skocia mund të bllokojë Anglinë dhe Suedia t’ia bëjë “tetë me dy” Spanjës, përse të mos e provonte Austria? Skuadra gjermanike ia mblodhi keq Italisë në ndeshjen e dytë të turit të dytë në Euro 2020, ndonëse në fund “simfonia e kaltër” ia doli të luhej fuqishëm. U deshën 120 minuta lojë që skuadra e trajnerit Roberto Mançini të fitonte 2-1 dhe të kualifikohej për në çerekfinale ku do të ndeshet me Belgjikën ose Portugalinë.

Në “Uembli”, tronditja ishte e madhe sepse austriakët luftuan “dhëmb për dhëmb”, duke e vënë me shpatulla pas murit kundërshtarin në pjesën e dytë të lojës normale, ndërsa u desh VAR-i për të anuluar golin e të fuqishmit Marko Arnautoviç. Në kohën shtesë, Federiko Kieza e Mateo Pesina shënuan golat e lehtësimit, veçse zëvendësuesi Sasha Kallajxhiç shkurtoi shifrat dhe fundi ishte sërish plot tension. Kieza e Pesina ishin zëvendësues që i dhanë të drejtë Mançinit me veprimin që bëri. “E dija se do të ishte e vështirë, – tha trajneri, – ndoshta më e vështirë edhe sesa çerekfinalja”.

Sfidanti.al