Hungaria është kthyer në një temë diskutimi në Euro 2020, por jo vetëm për futbollin. Nëse ekipi kombëtar e nderoi atdheun e tij me tri ndeshje heroike në “grupin e vdekjes”, debatet për çështjen e homoseksualëve kanë qenë të ashpra. Fillimisht, kjo solli përplasje të UEFA-s me autoritetet gjermane në Mynih për ndalimin e ngjyrave të homoseksualëve në fasadën e “Alianc Arenës”, ndërsa kryeministri Viktor Orban zgjodhi të mos ishte i pranishëm në stadiumin bavarez, por që të shkonte në një takim pune në Bruksel.
Gjithsesi, “çështja hungareze” nuk ka përfunduar edhe pse kombëtarja e Hungarisë u largua me kokën lart nga Europiani. Në Budapest luhet ndeshja mes Holandës e Republikës Çeke dhe ekziston frika e sjelljeve raciste, homofobike dhe kundër homoseksualëve nga ana e një pjese të tifozëve vendas, pikërisht të atyre ultras. Kapiteni holandez, Gini Vajnaldum, mendoi të rriste “temperaturën” në prag të ndeshjes sepse deklaroi se do të vendoste shiritin në krah me ngjyrat LGBT pikërisht për të dhënë një mesazh tolerance. Jo vetëm kaq, por ish-ylli i Liverpulit sot me Paris SG, ka deklaruar se është gati të largohet nga fusha nëse do të ketë abuzim racist ndaj tij.
Sfidanti.al