Këtij sporti i “ka pirë lëngun” dhe në moshën 43-vjeçare vështirë se mund të arrijë ndonjë gjë më shumë. Xhanluixhi Bufon fitoi Kupën e Botës me Italinë, tituj kampion pa fund në Itali me Juventusin, ishte portier legjendar për dekadat e shekullit të 20-të, dhe i mbeti vetëm Championsi, të cilin nuk mundi që nuk mundi ta fitonte. Gjithsesi, ai dëshiron të luajë dhe këtë do ta bëjë tek Parma, ekipi i adoleshencës së tij, duke hedhur poshtë 2 oferta të rëndësishme, siç thotë edhe vetë. “Më kërkoi Barcelona, – thotë Bufoni, – por, nuk desha të isha rezervë e Ter Shtegenit. Dua të luaj, këtë rol e provova tek Juvja dhe nuk e dua më. Tek Parma do të kem emocione të tjera, dhe në këtë sport emocionet janë një nga gjërat kryesore. Asnjë ekip tjetër nuk do të m’i jepte këto emocione. Jam shumë i lumtur me dashurinë që kanë treguar për mua, ndihem si në shtëpi”.
Sfidanti.al