Halandin e nxisin të shkojë në Spanjë, por duket se po e thërret Bajerni!

Kur vjen puna për transferim në Bundesligë, qoftë edhe në Mynih, të harrohen shifrat e çmendura. Bajerni nuk paguan 150 milionë euro për kartonin e ndonjë lojtari, ndonëse me 80 milionët që dha për Lykas Hernandezin sikur e prishi pak traditën. Nuk pritet që ta bëjë për Erling Halandin, por lajmi është që klubi bavarez po mendon për sulmuesin norvegjez. i pëlqyer nga Reali, Barcelona, Siti, Junajtid e Çelsi, Halandi ishte në dyshim nëse do të largohej këtë vit nga “Signal Iduna Parku” apo verën e ardhshme. Në Europë ishin të bindur për vitin 2021, ndërsa me Bajernin ndryshon puna. Bavarezët kanë ndryshuar mendje sepse Robert Levandovski ka krijuar dyshime për vazhdimësinë, pra ndoshta largohet këtë verë, ndaj edhe në Mynih duhet ta zëvendësojnë. Numër 9 më të mirë se Halandi për momentin nuk ka. Nëse klubi gjerman do të priste një vit, do ta merrte norvegjezin për 70 milionë euro, një shifër e përballueshme për të, veçse nuk dihet a mund të pritet aq gjatë.

Sfidanti.al