Nënë Mariana jeton në një qytet relativisht të vogël, me emrin Jezi (Jesi) shumë pranë Ankonës dhe brigjeve të Detit Adriatik. Është mamaja e trajnerit të Italisë, Roberto Mançini, dhe e ka marrë malli për djalin, i cili është i angazhuar prej javësh me kombëtaren. “La Gazeta delo Sport” citon se mamaja Marianë (e para djathtas në foto) flet në telefon me të birin, ndonëse nuk e bën shpesh për të mos e bezdisur. “Është i qetë, ndërsa unë e pres që të vijë këtu në Jezi, – thotë ajo, – veçse le të vijë sa më vonë që të jetë e mundur”. Që do të thotë, të paktën deri në mes të korrikut sepse mamaja është tifoze dhe uron që Italia ta fitojë Europianin e futbollit.
Edhe pse ka probleme me gjunjët dhe ka bërë operacion, i ndjek ndeshjet bashkë me të shoqin, Aldon, ndërsa shpesh i viziton vajza (motra e Mançinit), Stefania. Kështu, ata e presin djalin në qytetin me 40 000 banorë, aty ku qindra vjet më parë ka lindur një perandor i shenjtë romak si Frederiku II, ndërsa kohët e fundit njihen skermistet (shpataret) e njohura, Xhovana Trilini dhe Valentina Vecali.
Sfidanti.al