Prag Danimarkë-Belgjikë në Euro 2020, luhet për Eriksenin në Kopenhagen!

Danimarka dhe Belgjika do të respektojnë Kristian Eriksenin që vazhdon të ndodhet në spital, ndërsa do të luajnë sot në orën 18:00 sfidën e radhës në Euro 2020. Do të jetë i njëjti stadium, “Parken” i Kopenhagenit, dhe momenti i zgjedhur është simbolik. Mesfushori danez rrezikoi jetën në fushën e lojës në ndeshjen ndaj Finlandës, dhe pavarësisht se e ka kaluar rrezikun, situata e tij mbetet e paqartë.

Trajneri i Danimarkës deklaroi në konferencë për shtyp se skuadra e tij do të luante dhe do të përpiqej të fitonte ndaj Belgjikës pikërisht për Eriksenin. Ylli belg, Romelu Lukaku, që e ka danezin shok ekipi tek Interi, deklaroi se edhe ai do të luante për të, dhe se shpresonte që ta shihte sa më shpejt në fushën e lojës. Eriksenit do t’i vendoset një aparaturë për stabilizimin e rrahjeve të zemrës, diçka që edhe mund ta lejojë të luajë futboll, siç u ka ndodhur lojtarëve të tjerë.

Gjithsesi, doktori Skot Marrej, specialist për sëmundjet e zemrës, deklaroi për “Deili Meilin” se Erikseni nuk do të ketë mundësi të vazhdojë karrierën. Doktori gjerman i FIFA-s, Jens Klajfeld, që ndihmoi Eriksenin të kthehej në jetë pas ndalimit të zemrës, tregon  fjalët e para të lojtarit kur erdhi në vete. “Jam sërish me ju, – tha danezi, – për hir të dreqit, jam vetëm 29 vjeç”.

Përsa i përket duelit, Danimarkë-Belgjikë, duhet thënë se skuadra belge është favorite, diçka që e vërtetoi edhe me fitoren 3-0 ndaj Rusisë në Shën Peterburg, ndërsa danezët u mundën nga Finlanda. Në historinë e futbollit mbahet mend një ndeshje e jashtëzakonshme mes tyre, në fazën e grupeve në Euro 1984, kur Danimarka fitoi 3-2 me përmbysje, ndërsa të dyja skuadrat kishin brez të madh. Belgët kishin Shifon, Pfafin, Vanderbergun, Këlemans apo Verkauteren, ndërsa danezët ishin me Elkjerin, Lerbin, Laudrupin, Arnesenin apo kapitenin Morten Olsen.

Sfidanti.al