Na ishte një herë Golden Stejti i Stefën Kërrit dhe Klej Tompson. Bashkë me Drejmond Grinin, ata ishin “tre mosketierët” e NBA-së që shkatërronin çdo skuadër. Jo më kot, sezonin e kaluar vendosën rekordin historik me 73 fitore e vetëm 9 humbje në fazën e rregullt, duke shkurorëzuar jo pak, por vetë Çikago Bullsin e Majkëll Xhordanit. Me ardhjen e Kevin Durantit, ajo skuadër-ëndrrash Uorriors nuk ekziston më, ndërsa më shumë sesa rekordet, synohet titulli.
Nostalgjia, gjithsesi, nuk zhduket lehtë, dhe shpesh na pushton plotësisht të paktën për një moment. Ky moment ishte kur Golden Stejti u ndesh në Arenën e vet me Los Anxhelos Klipersin. Stefën Kërri, burimi kryesor i nostalgjisë, ia mori skenën pa ceremoni Durantit dhe dha shfaqjen e tij. Basketbollisti më i mirë i dy sezoneve të kaluara, pati “një nga ato mbrëmje” duke shënuar 43 pikë, me 9 kosha tripikësh dhe me 9 topa të kapur në tabela.
Durant vendosi të ishte “violinë e dytë”, duke shënuar 23 pikë e duke dhënë 7 asistë, ndërsa Tompson ndihmoi me 16 pikë. Golden Stejti e fitoi ndeshjen në Oklend me shifrat 144-98, duke mundur sikur po tallej një nga skuadrat më të forta të NBA-së. Uorriors mbeten në vendin e parë të Konferencës Perëndimore, dhe me rezultatin më të mirë të kampionatit, me 40 fitore e 7 humbje.