Një “arnaut” i jep fitoren Austrisë ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut!

Po bëjmë një lojë fjalësh, nga ato që gazetarët i kanë për qejf që t’i bëjnë, ndërsa është e qartë se Maqedonia e Veriut nuk pati në fushë vetëm lojtarë shqiptarë, por shumicën sllavë maqedonas. Ngacmimi vjen sepse golin e tretë për Austrinë e shënoi Marko Arnautoviç, lojtar që vetë thotë se është serb nga babai dhe austriak nga nëna. Arnautoviçi e ka treguar disa herë lidhjen me Serbinë, nëpërmjet intervistave, dhe kur vendosi tre gishtat pranë zemrës në ndeshjen Serbi-Austri në Beograd disa kohë më parë. Në Zvicër, media me emrin “Kosmo” shkruan se nga mbiemri, fisi i tij mund ta ketë origjinën shqiptare.

Gjithsesi, duke u kthyer tek ndeshja, Austria fitoi 3-1 në ndeshjen e parë të grupit C të Europianit, luajtur në “Arena Nacionala” të Bukureshtit në Rumani. Për Maqedoninë e Veriut ishin në fushë lojtarët shqiptarë Enis Bardhi, Arijan Ademi, Visar Musliu dhe Ezgjan Alioski. Në pjesën e dytë hyri edhe Egzon Bejtullai, ndërsa në stol pa u aktivizuar mbeti vetëm Ferhan Hasani. Arnautoviç u hodh në lojë në minutën e 58-të dhe ndikoi direkt në ndeshje e në rezultat.

Stefan Lajner kaloi austriakët në epërsi, por Goran Pandev tregoi gjithë përvojën e tij duke barazuar përkohësisht pas gabimit të mbrojtjes. Mikael Gregoriç dhe Marko Arnautoviç i dhanë fitoren ekipit të trajnerit Franko Foda në minutat 78 e 89.

Sfidanti.al