Nga Italia nuk do të largohet, madje do të mbetet në elitë. Elseid Hysaj e di tashmë sesi do të jetë e ardhmja e tij, pasi mbrojtësi i kombëtares do ta vazhdojë karrierën tek Lacio. Pas 6 sezonesh në Serinë A me Napolin, dhe një sezoni me Empolin, 27-vjeçari zgjodhi të mos ndryshonte kampionat, dhe po ashtu të takohej me një njohje të vjetër. Trajneri Mauricio Sarri e përzgjodhi ndërsa ishte tek Empoli dhe e mori tek Napoli. Ishte sërish nxitja e Sarrit, që sapo është caktuar trajner i ri tek Lacio, pas largimit të Simone Inzagit tek Interi.
Sipas mediave italiane, Hysaj do të ketë rrogë nga 1.5 deri në 2 milionë euro në sezon në një kontratë 5-vjeçare. Hysaj është 27 vjeç dhe jep garanci se mund ta vazhdojë karrierën në nivele të larta edhe për shumë kohë, ndërsa e ka nisur shumë i ri dhe ka mjaft përvojë në Serinë A. Ai shton numrin e shqiptarëve që kanë qenë apo janë ende tek Lacio, si Igli Tare, Lorik Cana, Etrit Berisha, Tomas Strakosha dhe Vedat Muqiri.
Sfidanti.al