Belgjika respekton parashikimet me 3-0 ndaj Rusisë, Lukaku ka dedikim për Eriksenin!

Patën mungesa, por nuk deshën t’ia dinin. Belgjika zbriti në fushë kundër Rusisë pa njërin nga yjet kryesorë, Kevin De Brujn, ndërsa Eden Hazar ishte në stol, veçse nuk ndjeu asnjë vështirësi dhe respektoi parashikimet kundër Rusisë në ndeshjen grupit B. Edhe pse skuadra e trajnerit Stanislav Çerçesov u përpoq të respektonte veten dhe tifozët e saj në “Arenën Gazprom” të Shën Peterburgut, diferenca ishte shumë e madhe. Belgët ishin superiorë, qoftë si individualitete, por sidomos si ekipi, duke fituar me lehtësi 3-0.

Sulmuesi i Interit, Romelu Lukaku, ishte autor i dy golave, dhe pasi shënoi të parin vrapoi te kamerat duke thirrur “Kris, të dua shumë”. Dedikimi ishte për shokun e tij tek Interi, Kristian Eriksen, që rrezikoi jetën në ndeshjen Danimarkë-Finlandë, por që tani është më mirë. Një tjetër gol për “djajtë e kuq” u shënua nga Mënier. Trajneri Roberto Martinez, e aktivizoi Hazarin vetëm në pjesën e dytë, pasi ylli i Realit nuk ishte në 100 për qind të formës fizike, ndëras mungoi edhe lojtari i Dortmundit, Aksel Vicel.

Belgjika cilësohet si një nga pretendentët kryesorë për titull, bashkë me Francën dhe Anglinë, ndërsa tifozët presin që i ashtuquajturi “Brezi i Artë” ta fitojë më në fund një trofe të rëndësishëm. Pasi dolën në vend të tretë në Kupën e kaluar të Botës, belgët duken në formë më të mirë, dhe sidomos lojtarë si Lukaku apo De Brujn janë ndër më të fortët në botë në rolet e tyre.

Sfidanti.al