Italia është e lumtur me Të Kaltrit, Mançini: Nuk ishte e lehtë!

Fitorja pritej, por asnjëherë nuk je i sigurt derisa e merr në dorë. Gjithsesi, Italia e Roberto Mançinit nuk i la asgjë rastësisë, edhe pse shënoi golin e parë me autogol ndaj Turqisë, dhe atmosfera në Apenine është e shkëlqyer. Vetë trajneri vlerëson lart lojtarët e tij.

“Jemi të lumtur që i dhamë kënaqësi të gjithë italianëve që ndoqën ndeshjen, dhe atyre që ishin në stadium, – tha ai, – Një mbrëmje shumë e bukur. Shpresoja që të ishte e tillë, por gjithashtu e dinim se nuk do të ishte e thjeshtë sepse Turqia është një skuadër shumë e mirë, ka lojtarë të talentuar. Ne realizuam një ndeshje të nivelit të lartë, duke mos i dhënë mundësi kundërshtarit”.

Të përditshmet sportive italiane ishin padyshim në qiellin e shtatë. “La Gazeta delo Sport”: “Qesh Itali! Festë në “Olimpiko”, nisje e madhe, tronditen turqit! Spektakël i kaltër në debutim! Dominim dhe shpërthim në pjesën e dytë me tre gola!” “Il Korriere delo Sport”: “Rroftë Italia! Europiani, të kaltrit bëjnë një nisje të madhe, mes duartrokitjeve në “Olimpiko”! Debutim i shkëlqyer, shkatërrohet Turqia, 3-0! Të mërkurën, Zvicra!” “Tutosport” e Torinos nuk e prish korin patriotik të shtypit italian, duke e çelur kopertinën me shprehje dashurie: Ju duam fort kështu! Euro 2020: Turqi-Itali 0-3!

Trajneri i Turqisë, Shenol Gynesh, pranoi dominimin e kundërshtarit. “Nuk ishte dita jonë, – pranoi trajneri i Turqisë, Shenol Gynesh, – ne e humbëm shpejt topin dhe nuk mundëm të sulmonim. Italia u tregua skuadër më e mirë se ne, humbëm ndaj një skuadre më të mirë. Pasi pësuam golin e parë u shpërqëndruam dhe humbëm kontrollin e ndeshjes. Duhej të kishim luajtur më mirë, por tashmë të përqëndrohemi tek ndeshjet me Uellsin dhe Zvicrën”.

Sfidanti.al