Derbin nordik e fitoi skuadra më pak e favorizuar, ndërsa Danimarka u lehtësua që të paktën Kristian Eriksen është më mirë dhe nuk e rrezikon jetën. Fitoi Finlanda në stadiumin e Kopenhagenit, në ndeshjen e parë në grupin B në Euro 2020, dhe kjo ishte fitorja e parë e arritur në një fazë finale nga ana e finlandezëve. Zhoel Pohjanpalo shënoi golin e vetëm historik të skandinavëve në 60’, por suksesi u vulos nga pritja e penalltisë që bëri portieri Hradecki ndaj Pjer-Emil Hjëbergut në minutën e 74-ët.
Finlanda pati një gjuajtje në portë dhe shënoi një gol, ndërsa Danimarka provoi 20 herë veçse pa rezultat. i tillë është futbolli, ndërsa danezët nuk duhet të harrojnë finalen e Europianit në 1992 kur Gjermania bëri lojën dhe pati rastet, por fitoren 2-0 e morën skandinavët, duke u shpallur edhe kampionë të Europës, falë një gjigandi si portieri i Mançester Junajtidit, Peter Shmajkel. Ndeshja nisi në orën 18:00, por përfundoi rreth orës 21:30 për shkak të ndërprerjes së gjatë pasi Eriksen u rrëzua përtokë me probleme shëndetësore dhe vetëm në orën 20:15 u lajmërua që ndeshja do të luhej.
Sfidanti.al