Donovan Miçell, “xhuxhi” gjigand që po mahnit NBA-në

Është 24 vjeç, as tepër i madh, dhe as tepër i vogël, por gjithsesi i ri për nivelin e NBA-së. Është gjithashtu me trup të shkurtër, vetëm 1.85 metra, që do të thotë plot 14 centimetra poshtë mesatares së basketbollit amerikan. Gjithsesi, ylli i ri i Juta Xhazit, Donovan Miçëll nuk e ka këtë aspak problem, ndërsa është bërë udhëheqësi i skuadrës më të mirë të sezonit të rregullt. Në 1986, një “xhuxh” si Tajron Bogsi (1.58 metra) fitoi finalen e Botërorit me SHBA-në ndaj gjigandit Arvidas Sabonis (2.23 m) të BRSS. Miçëll dëshiron të fitojë të gjitha finalet ndaj kolosëve të koshit në Amerikë.

Ai shënoi 37 pikë dhe Juta Xhaz arriti kryesimin 2-0 ndaj Los Anxhelos Klipersave në gjysmëfinalen e plej ofit në Konferencën Perëndimore. Suksesi i vendasve në shkretëtirë ishte 117-111. Miçëll u bë i pari lojtar i Juta Xhazit që shënon më shumë se 35 pikë në plej of në dy ndeshje radhazi, nga koha e Karl Malounit në 1988, por fitorja ishte e vështirë. Ylli i Xhazit shtoi edhe 3 topa në tabela e 4 asistë, por u desh dominimi në tabela i francezit Rudi Gober, që ndeshja të pronësohej. Gober, mbrojtësi më i mirë i sezonit në NBA, kapi 20 topa në tabela dhe shënoi 13 pikë, Bogdanoviç pati 16 pikë, Klarkson shtoi 24 pikë dhe Ajngles pati 19.

“Unë nuk mendoj se jam i vetëm në këtë ekip dhe se duhet të bëj çdo gjë, – tha Miçëll, – unë kam shokë të mirë skuadre dhe ne fituam së bashku. Secili prej nesh e ka rritur nivelin”. Klipersat nuk e patën kapitenin Kauai Leonard në formën maksimale, pasi ai u mbulua fort dhe shënoi vetëm 21 pikë. Pol Xhorxh ishte më mirë më 27 pikë, 10 topa në tabela e 6 asistë, ndërsa Rexhi Xhekson shënoi 29.

Sfidanti.al