E ka bërë vetëm një herë në “Rolan Garos” sepse spanjolli ka humbur gjithsej dy ndeshje në Grand Slemin e Parisit, por logjika e tij është ajo e duhura kur flet. Novak Gjokoviç u pyet pas fitores në çerekfinale ndaj Mateo Berretinit, nëse besonte tek fitorja në gjysmëfinale ndaj Rafael Nadalit. Përgjigja e numrit 1 të botës, ishte ajo që pritej. “Padyshim që besoj, – tha ai, – nëse nuk do të besoja nuk do të isha këtu. Shpresoj të luaj në nivel më të lartë sesa në dy setet e parë në finalen e kaluar. Do të jem përballë rivalit më të madh të karrierës sime”. Nadal e Gjokoviç janë ndeshur 57 herë mes tyre dhe serbi kryeson minimalisht 29-28 me fitore.
Në çerekfinale, Nole fitoi në orë të vonë ndaj Berretinit 3-1 me sete, duke dominuar në dy të parët (6-3 e 6-2), por pastaj italiani u përgjigj në të tretin duke fituar me taj brejk, 7-6. Në setin e katërt, tifozët u nxorrën nga Arena sepse kaloi ora policore, ndërsa Gjokoviç ia doli pas një lufte të fortë 7-5. Edhe Rafael Nadal, 13 herë kampion në “Rolan Garos”, fitoi me 4 sete ndaj Diego Shvarcmanit. Spanjolli 35-vjeçar triumfoi 6-3, 4-6, 6-4, 6-0. Ky ishte seti i parë i humbur nga kampioni në këtë edicion në Paris.
Sfidanti.al