Tre rrëzimet e Edi Rejës tek Shqipëria, por nuk fiton dot … penallti!

Herën e parë as nuk mund ta pretendonte sepse i ndodhi në konferencën për shtyp, madje shumë shpejt pasi e kishte nisur detyrën tek Shqipëria. Edi Reja u pengua në një kabëll të një kamere televizive dhe u rrëzua keqaz nga podiumi ku ishte vendosur tryeza e konferencës, drejt e në dysheme. Kaluan shumë muaj dhe u mendua se Reja nuk do të kishte më probleme të tilla. E vërteta doli ndryshe. Fillimisht, ai u rrëzua nga Manaj në Uells, si në një lojë birilash, pasi sulmuesi i Shqipërisë u shty nga një lojtar vendas. Pati pak gjaknxehtësi, dhe trajneri 75-vjeçar u nervozua ndjeshëm, por kaloi.

Për të dytën ndeshje radhazi, italianit i ndodhi në stadiumin e Pragës në Çeki, kur u përplas përtokë nga një lojtar kundërshtar. Për vetë pozicionin e rrëzimit, pra përtej vijës anësore, Reja nuk fitoi dot as goditje dënimi, jo më penallti edhe pse kundërshtarët bënë lojë të ashpër ndaj tij. “Një herë u rrëzova në konferencë, – tha pas ndeshjes ai, – më pas në Uells dhe ndodhi edhe sot. Shpresoj që të ketë mbaruar me kaq, ndonëse kur përplasen me mua dëmtohen edhe kundërshtarët sepse jam rezistent”.

Sfidanti.al