Vetë nuk ka ndërmend të kthehet së pari sepse nga ana financiare nuk mund të përballohet “orteku” i tanishëm. Masimo Morati është legjendë e Interit, njeriu që fitoi disa tituj në vitet 2000 si dhe Championsin në 2010 me Murinjon, ndërsa deri në maj ishte tepër i lumtur. Interi doli sërish kampion i Italisë nën drejtimin e Antonio Kontes, por papritur erdhi “tërmeti”. Trajneri u largua, pronarët nga Kina kanë probleme deri edhe me rrogat, dhe e ardhmja nuk është e qartë.
“Jam i shqetësuar për Interin, – thotë ish-pronari, – në Kinë duhet të ketë ndodhur diçka e rëndë, sepse Çangun e kanë detyruar të heqë dorë nga aktiviteti. Nuk e di edhe sa kohë ai mund të mbajë aksionet”. Gjithsesi, po flitet për aksionet popullore, pra që tifozët të blejnë dhe të jenë bashkëpronarë. “Nuk më bind kjo formulë, – thotë Morati, – jam pro që të jenë tifozë të Interit dhe që të kenë para, por më duket e vështirë që të realizohet. Jashtë Italisë ka forma të tilla, por kanë traditë tjetër”. Duke folur për Konten, Morati theksoi se “trajneri ndjeu se nuk do të luftonte siç dëshironte ai, është një profesionist shumë serioz, por nuk është shumë i lidhur me fanelën”.
Sfidanti.al