Cicipas dhe Zverev, beteja e madhe për finalen në “Rolan Garos”

Së pari ia doli tenisti gjerman me origjinë ruse, dhe pastaj ballkanasi. Aleksandër Zverev mundi spanjollin Davidoviç Fokina me lehtësi, me shifrat 3-0 dhe me setet 6-4, 6-1 e 6-1 duke arritur gjysmëfinalen e parë në karrierë në “Rolan Garos”. Zverevi është 24 vjeç dhe ka ambicie për të shkuar në finale, ndërsa shmang Nadalin e Gjokoviçin që janë në krahun tjetër të gjysmëfinaleve, por ndaj grekut Stefanos Cicipas nuk do ta ketë aspak të lehtë.

Cicipas kaloi rusin Danil Medvedev duke treguar se në sipërfaqe dheu është më i fortë, ndërsa rusi ishte më i fortë në Australian Open disa muaj më parë. Greku 22-vjeçar i lindur në Athinë fitoi 3-0 me setet 6-3, 7-6 e 7-5, dhe arriti gjysmëfinalen e dytë radhazi në Paris. Ai është pjesë e brezit të ri të tenistëve që duan të sfidojnë “tiraninë” e treshes Federer-Nadal-Gjokoviç. Cicipas është numri 7 në botës, por do të përparojë pas “Rolan Garosit”, ndërsa Medvedevi e nisi Grand Slemin si numri 2.

Sfidanti.al