Kur paguan për diçka dhe ndjen se shërbimi nuk është ai i duhuri, padyshim që ka pasoja. Tifozët e boksit, ata që kishin blerë abonimin për të ndjekur duelin për “shfaqje” mes Flojd Mejuedhërit dhe Logan Polit (Logan Paul), akuzuan se kishin paguar para për të parë dy njerëz që “bënin gjoja” në ring. Boksierë profesionistë, që kanë gjithë jetën që “u bie bretku” në këtë sport, u shprehën të zemëruar sesa e padrejtë është kjo botë kur vjen një “kalama”, pra një fillestar si Logan Pol dhe fiton 20 milionë USD vetëm sepse do të ndeshej me Mejuedhërin. Gjithsesi, akuza më e madhe ishte ajo për trukim, sepse kamerat kanë kapur një moment kur Mejuedhëri e godet fort ish-personazhin e Jutjubit (Youtube) dhe Pol ishte gati për t’u rrëzuar, por boksieri 44-vjeçar duket se e mban fort që të mos e lejojë rrëzimin. Madje thuhet se Pol i ka thënë që ta lejonte të vazhdonte ndeshjen. Lufta (!!!) vazhdoi deri në fund, për 8 raunde dhe Mejuedhër deklaroi se mund të mos kthehet më në ring.
Sfidanti.al