Shqipëria “memece” arrin të ndalojë Uellsin në Kardif!

Të paktën “saraçineskën” e kemi mbyllur dhe nuk pësojmë dot gol lehtë. Edi Reja jo më kot është përfaqësues tipik i shkollës klasike italiane të futbollit (jo si Roberto Mançini sot), dhe kombëtarja shqiptare e drejtuar prej tij është kthyer në një “beton” në mbrojtje, me përjashtim të rasteve kur ka përballë skuadra shumë të forta si Franca apo Anglia, apo në rastet kur “luan mendsh vetë”. Barazimi 0-0 në fushën e Uellsit e tregoi këtë. Kuqezinjtë nuk bënë dot asnjë gjuajtje në kuadratin e portës së vendasve, ndërsa rrezikuan seriozisht vetëm një herë me anë të Manajt në pjesën e parë.

Uellsi, finalist i Europianit, ishte më këmbëngulës, sidomos pas pushimit. Uilliams, Uilson, dhe sërish Uilliams (pritje e shkëlqyer e Selmanit) provuan të shënjestronin portën tonë. Miqësorja ishte vërtet një testim “me gjysmë zemre”, pasi as Uellsi nuk bëri ndonjë gjë të madhe, ndërsa duhet parë sesi do të paraqitet Shqipëria në miqësoren e dytë, atë që do të luhet në 8 qershor në fushën e Republikës Çeke në Pragë. Më shumë sesa për futbollin, ndeshja në stadiumin e Kardifit do të mbahet mend për shumë momente tensioni, ku të paktën dy herë pati rrezik për sherr masiv. Kuqezinjtë morën 4 kartonë të verdhë dhe uellsianët, 3.

Reja bëri 5 zëvendësime duke provuar në pjesën e dytë Kallakun, Trashin, Laçin, Cikalleshin dhe Seferin, ndërsa Uellsi hodhi në 71’ yllin e Realit të Madridit, të huazuar këtë sezon tek Totenhemi, Garet Bejlin.

Shqipëria (3-5-2): Selmani, Ismajli, Kumbulla, Gjimshiti, Doka, Çekiçi (Kallaku 76’), Bare (Laçi 76’), Abrashi, Lenjani (Trashi 66’), Balaj (Cikalleshi 66’), Manaj (Seferi 77’). Tr. Reja

Sfidanti.al