Nga Rolan Garosi mund të përjashtohesh edhe nëse nuk jep intervista!

Ky paralajmërim iu bë Naomi Osakës, njërës prej tenisteve më të mira të botës për femra. Japonezja u kërcënua nga organizatorët e Rolan Garosit pasi refuzoi të jepte një konferencë shtypi pas fitores së raundit të parë ndaj Patrisia Maria Tigut. Osaka e dha intervistën në terren menjëherë pas ndeshjes, por jo konferencën në sallën e përcaktuar për këtë. Ajo u gjobit me 15 000 USD për këtë shkelje dhe u paralajmërua se do të ketë gjoba të tjera dhe përjashtime nga Grand Slemet e ardhshëm. Osaka, katër herë fituese në Grand Sleme, kishte deklaruar që në fillim të javës së kaluar se nuk do të përballej me mediat në Paris për shkak të atyre që i quajti probleme të shëndetit mental, ndoshta nga stresi. Gjithsesi, nuk dihet nëse bordi i organizatorëve të Grand Slemeve do të veprojë për të bërë një kontroll shëndetësor të gjendjes së Osakës, dhe pastaj për të vendosur nëse mjeku vërtet këshillon që ajo të mos jetë në konferenca apo mund të vendosë që të jetë përballë gazetarëve.

Sfidanti.al