Ndoshta ka të drejtë, pasi problemet ishin aq të shumta sa nuk t’i merrte mendja. Jurgen Klopi nuk është xheloz për Pep Guardiolën që doli sërish kampion në Angli, por mendon se ka arsye për të bërë një vërejtje. “Një skuadër futbolli është si një orkestër, – tha trajneri i Liverpulit, – kur mungon një njeri edhe mund t’ia dalësh, por kur bëhen dy apo më shumë është tepër e vështirë. Unë e kam thënë edhe më parë, me kaq shumë dëmtime nuk ishte sezoni ynë për të dalë kampionë. Nuk ka shanse, madje për askënd. Sado që Siti është skuadër shumë e mirë, nëse do të kishte jashtë 3 qendërmbrojtës, ata nuk do të dilnin kampionë, sidomos kur mungojnë për gjithë sezonin”.
Liverpulit iu dëmtuan radhazi Van Dajk, Gomez dhe Matip, ndërsa pati probleme të shumta me lojtarë të tjerë si Henderson, Tiago Alkantara, Fabinjo, Shaqiri e të tjerë. Deri pranë Krishtlindjeve, Liverpuli ishte në krye të renditjes së Premier Ligës, por më pas dëmtimet nisën të ndikonin dhe të kuqtë patën një fillim shumë të vështirë të vitit 2021, aq sa edhe tani rrezikojnë kualifikimin për në Champions.
Sfidanti.al