Zhoze Murinjo mbush 54 vjeç dhe dhuratat që ka marrë deri tani në karrierë si trajner janë 18 trofe. Flitet për 8 tituj kampion në Portugali, Angli, Itali e Spanjë, për 7 kupa kombëtare në këto vende dhe për tre trofe ndërkombëtarë (dy Champions dhe një Ligë të Europës). Sër Aleks Ferguson kishte arritur deri në 16 trofe kur ishte 54 vjeç, pra diçka më pak se trajneri i sotëm i Mançester Junajtidit. Skocezi kishte fituar 5 tituj (në Skoci dhe në Angli), 8 kupa kombëtare dhe 3 trofe ndërkombëtarë (Kupën e Kupave dhe Superkupën e Europës me Aberdinin, Kupën e Kupave me Mançester Junajtidin).
A mund të quhet trajneri i sotëm i “Old Trafordit” më i madh sesa ai që drejtoi Mançester Junajtidin për 26 vjet? Përgjigja është e vështirë të jepet tani, sidomos nëse shikon se Ferguson fitoi trofe të mëdhenj me Aberdinin kundër gjigandëve Gllazgou Rejnxhërs e Sëlltik, dhe se skocezi i madh vazhdoi të fitonte shumë edhe pasi kaloi moshën 54-vjeçare.
Ferguson analizoi Murinjon ditët e fundit në një intervistë. “Unë isha i ndryshëm në krahasim me Murinjon, pasi unë synoja të ndërtoja një klub, pra të krijonim brezin e ri tek Junajtid, ndërsa Zhoze sjell më shumë lojtarë të gatshëm, – tha Fergi, – veçse, ekipi po shkonte keq, dhe duheshin bërë ndryshime, ndaj edhe ai i bëri ato. Shoh se i ka kaluar emocionet e para dhe se është shumë i qetë, edhe skuadra reflekton gjendjen e trajnerit”.