Arritja e madhe qendronte në këmbë, si një mur, që nga viti 1974 dhe mendohej se nuk do të mbërrihej kurrë. Gjithsesi, rekordet janë për t’u thyer dhe kështu ndodhi edhe me këtë të tripëll dabëllave në NBA, që tani ka një “pronar” të ri. Oskar Robertsoni mbante “shiritin” me 181 të tillë në karrierë, ndërsa Rasëll Uestbruk arriti në 182 në ndeshjen e Uashingtonit në fushën e Atlantës. Ai pati 28 pikë, 13 topa në tabela dhe plot 21 asistë, ndërsa është në sezonin e 13-të në basketbollin amerikan. Me këtë ritëm, ai do të jetë shpejt mbi 200 tripëll dabëlla, madje shumë më tepër se kaq, pasi vetëm këtë edicion ka realizuar 36! Padyshim, Uestbruku është ndihmuar nga dy faktorë, së pari që loja në NBA është bërë më e shpejtë, dhe çdo aksion ka nevojë për më pak kohë, dhe së dyti sepse ai pati një koordinatë për të mbërritur, rekordin e madh të Oskar Robertsonit. Uestbruk po realizon sezonin e katërt në karrirë me mesatare tripëll dabëlli, diçka që nuk e ka bërë askush, pasi Robertson ishte i vetmi që kishte arritur një sezon të vetëm. Ai ka mesatare prej 22 pikësh, 11.5 asistësh dhe 11.6 topash në tabelë për ndeshje.
Sfidanti.al