Në ambientet e futbollit vijon të diskutohet për Super League. Nga njëra anë janë FIFA dhe UEFA që kanë ngritur zërin duke kërcënuar me sanksione dhe përjashtim dhe nga ana tjetër janë Juventus, Real Madrid e Barcelona që nuk tërhiqen dhe vazhdojnë të besojnë te projekti duke mbrojtur rregullsinë e nismës teksa përgatiten për një betejë të ashpër ligjore.
Një situatë kjo me ngërc ku të paktën 9 klube janë të interesuar, sepse skuadrat që kanë braktisur Super League duhet të bëjnë llogaritë me akordet me Florentino Perez e të tjerët, akorde që sipas ‘La Gazzetta Dello Sport’ bien për shkak të një klauzole për numrin e klubeve të tërhequra.
Duket se ekziston një normë që është në gjendje që të mbrojë klubet ‘e penduar’ dhe që dolën nga projekti, por duket se kjo hipotezë nuk është konfirmuar ende zyrtarisht. Sipas kësaj norme, duke parë numrin 9 të klubeve të tërhequr, Super League nuk mund t’u kërkojë atyre dëmshpërbli, një situatë që do të siguronte plotësisht 6 klubet e Premier League, Interin, Milanin dhe Atletico Madrid dhe do t’u jepte një tjetër goditje të fortë Perez e Agnellit. Dhe e gjithë kjo ndodh teksa të gjithë janë në pritje të zhvillimeve të përplasjeve mes UEFA dhe 3 klubeve që I qëndrojnë projektit Super League
Sfidanti.al