Në Premier Ligë kuptohet që nuk shanse për momentin që të sfidojnë Mançester Sitin, por trajektorja e Çelsit po shkon lart e më lart nën drejtimin e Tomas Tuhelit. Trajneri gjerman, tashmë njeri me përvojë, aftësi dhe tepër karizmatik, përjetoi një tjetër pasdite të shkëlqyer këtë të shtunë me fitoren 2-0 në “Stemford Brixh” ndaj Fulhamit. Kai Haverc shënoi dygolëshin e tij të parë në kampionatin anglez, ndërsa Blutë e Londrës duken skuadra e momentit bashkë me Sitin.
Ata janë 6 pikë larg vendit të pestë që mbahet nga Uest Hemi, dhe duken thuajse plotësisht të sigurt për t’u kualifikuar në Champions nga Premier Liga edicionin e ardhshëm. Po ashtu, londinezët janë në pozita të mira në Ligën e Kampionëve këtë vit sepse kanë barazuar 1-1 në fushën e Realit të Madridit në gjysmëfinalen e parë. Me Fulhamin ishte fitorja e 9-të në ligë që pas mbërritjes së teknikut gjerman, që ka vetëm 1 humbje, ndërsa u shpenzua një sasi e vogël energjie për të qenë gati për Realin në mesjavë. Çelsi ka 61 pikë ndaj 55 të Uest Hemit, ndërsa Leisteri ka 63 në vend të tretë.
Sfidanti.al